Gazeta “Zëri” u ka dërguar pyetje të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nëse ministrat e tyre do të votojnë pro ose kundër heqjes së vizave për Kosovën. Nga qëndrimet e konfirmuara nga Holanda, Bullgaria dhe Sllovakia, kjo e fundit ka dhënë përgjigjen më interesante

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën po vazhdon të mos finalizohet pavarësisht faktit që Komisioni Evropian (KE) ka rekomanduar heqjen e vizave për qytetarët e saj. Kjo pasi disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) po hezitojnë ta mbështesin liberalizimin për Kosovën. Në mesin e këtyre shteteve gjendet edhe Holanda. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës kanë bërë të ditur për “Zërin” se kanë kërkuar sqarime shtesë nga KE-ja sa i përket përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës, të specifikuara në Raportin e Komisionit.

Në anën tjetër zyrtarë të MPJ-së së Sllovakisë i kanë thënë gazetës “Zëri” se e mbështesin perspektivën evropiane të Kosovës, pavarësisht faktit që ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Megjithatë ata kanë pohuar se brenda BE-së aktualisht nuk ka konsensus sa i përket heqjes së regjimit të vizave.

Ndërkohë, për dallim prej disa shteteve hezituese, nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë kanë thënë për gazetën “Zëri” se ky shtet e përkrah procesin e liberalizimit për Republikën e Kosovës.

E zvarritjes së procesit të liberalizimit të vizave sipas ministres së Integrimit Evropian në Kosovë, Dhurata Hoxha, i ka kontribuar konteksti politik në BE, sidomos zgjedhjet brenda këtij unioni. Hoxha më tej ka përmendur faktin që ndër shtetet që po hezitojnë ta mbështesin liberalizmin e vizave për Kosovën është edhe shteti i Holandës.

Rrjedhimisht ajo ka thënë liberalizimi nuk do të futet në agjendën e Këshillit nëse së pari nuk ka marrëveshje rreth kësaj çështjeje. “Ajo që është duke ndodhur tani është që futja në agjendë në Këshillin e Ministrave nuk do të ndodhë nëse nuk ka ndonjë konsensus të ndërtuar paraprakisht, pra një konsensus i ndërtuar prapa dyerve të mbyllura”, ka potencuar e para e MIE-së.

Hoxha më tej ka thënë se nga fundi i tetorit pritet të mbahet takimi i radhës i Këshillit, por shtetet e BE-së sipas saj tashmë e kanë politizuar çështjen e vizave. “Vendet anëtare e kanë politizuar çështjen e liberalizimit të vizave, posaçërisht pas dështimit të futjes në agjendë heqjen e vizave për Kosovën në dhjetor të vitit të kaluar. Prej kësaj periudhe ne kemi parë një politizim të procesit dhe këtë e kam theksuar disa herë”, ka shtuar ministrja Hoxha.