Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar se ka pasur përplasje mes deputetëve të Nismës dhe AAK-së, por sipas tij kjo nuk e rrezikon kolacionin qeverisës, trasnmeton Gazeta Metro.

Kreu i AAK-së ka thënë se me Nismën i kanë ndërtuar raportet që nga koha kur kishin lidhur koalicionin VLAN bashkë me LDK-në.

“Marrëdhëniet e AAK-së me Nismën datojnë me vite, pra që nga koha e VLAN-it, pra që atëherë ne kemi ndërtuar partneritet së bashku atëherë kemi hyrë në koalicion me PDK-në. Në raste të tilla ka përplasje të zyrtarëve. Kam respekt për Nismën dhe Limajn sikurse edhe ata që kanë respekt për ne”, ka thënë kreu i AAK-së.

Kryeministri thotë se që nga fillimi i marrjes së mandatit ka qenë i sfiduar, por thotë që këto përplasje me Nismën, nuk e rrezikojnë koalicionin qeverisës.

“Prej fillimit të punës së kësaj Qeverie e dini si ka shku puna, kemi qenë të sfiduar që nga fillimi por marrëdhëniet me Nismën nuk e rrezikojnë këtë koalicion”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.

Haradinaj para mbledhjes së Qeverisë ka pasur një takim kokë më kokë me kreun e Nismës, Fatmir Limajn, me të cilin ka thënë se kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike.