Opinionisti Mero Baze përmes një shkrimi, e ka kritikuar ashpër presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, duke thënë se ky i fundit është haptas kundër një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Gazeta Metro.

Baze, duke iu referuar intervistes së presidentit Meta tek “Zëri i Amerikës”, thotë se ai iu shmang qëndrimit të tij lidhur me marrëveshjen mes dy vendeve, marrëveshje kjo e mbështetur nga SHBA.

“E para, dukej qartë në përpjekjen për të shmangur një qëndrim të tij, lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, që mbështetet nga SHBA. Në Tiranë ai ka qenë kundër saj, biles ka prodhuar krizë për dekretimin e ministrit të Jashtëm në emër të paranojës, se ai po emërohej për të mbështtur këtë marrëveshje”, ka shkruar ai,

Sipas Baze, Meta iu shmang përgjigjes rreth qëndrimit të tij për këtë çështje, në mënyrë që të mos krijohet ndonjë keqkuptim, meqë flet nga Shtetet e Bashkuara.

Kujtojmë se presidenti Ilir Meta kishte rezitstuar edhe për emrin e Gent Cakës, duke mos e dekretuar atë si ministër të Jashtëm. Sidoqoftë, një detyre e tillë iu delegua nga Qeveria e Shqipërisë.